Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 34:1-22

Psalmet 34:1-22 AL1

E bekoj ZOTIN në çdo kohë, lavdërimi i tij përherë në gojën time. Në ZOTIN mburret shpirti im, le të dëgjojnë skamnorët e le të gëzojnë. Madhërojeni ZOTIN bashkë me mua, le ta lartësojmë së bashku emrin e tij. E kërkova ZOTIN e ai m'u përgjigj, nga të gjitha tmerret më çliroi. E panë e u ndriçuan, fytyrat e tyre nuk u turpëruan. Ja, ky skamnor thirri dhe ZOTI e dëgjoi, nga të gjitha fatkeqësitë e çliroi. Engjëlli i ZOTIT bën roje rreth atyre që e druajnë dhe i shpëton. Shijoni e shihni se i mirë është ZOTI. Lum ai njeri që gjen strehë tek ai! Druajeni ZOTIN, o të shenjtët e tij, se atyre që e druajnë, nuk u mungon asgjë. Luanët mbeten të pangopur e të uritur, por atyre që kërkojnë ZOTIN, nuk do t'u mungojë asnjë e mirë. Ejani, o bij, e dëgjomëni, drojën e ZOTIT do t'ju mësoj. Kush është ai njeri që e dëshiron jetën, që dëshiron të shohë ditë të mira? Ruaje, pra, gjuhën prej së keqes e buzët prej fjalëve mashtruese. Largohu nga e keqja e bëj të mirën, kërko paqen e rend pas saj. Sytë e ZOTIT janë mbi të drejtët veshët e tij e dëgjojnë klithmën e tyre. Fytyra e ZOTIT u kundërvihet keqbërësve, për ta fshirë prej dheut kujtimin e tyre. ZOTI i dëgjon ata që i përgjërohen, prej të gjitha fatkeqësive i çliron. ZOTI është pranë zemërthyerve, të dërrmuarit në shpirt i shpëton. Të shumta janë mundimet e të drejtit, por ZOTI e çliron prej të gjithave. Ai i ruan tërë kockat e tyre, asnjë prej tyre nuk do të thyhet. E keqja do ta vrasë të paudhin, ata që urrejnë të drejtin do të ndëshkohen.