Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 31:1-24

Psalmet 31:1-24 AL1

Te ti, o ZOT, kërkova strehë, mos lejo të turpërohem asnjëherë, sipas drejtësisë sate çliromë! Prire veshin drejt meje, nxito të më çlirosh, bëhu për mua shkëmbi, ku gjej strehim, fortesa e shpëtimit tim. Ti je shkëmbi dhe fortesa ime, për hir të emrit tënd primë e hiqmë udhën. Më nxirr nga laku, që fshehtas më kanë ngritur, sepse ti je streha ime. Në duart e tua e lë shpirtin tim, shpengomë, o ZOT, Perëndi besnik. I urrej ata që jepen pas idhujve të kotë, por unë shpresën e kam te ZOTI. Për mirësinë tënde gëzoj e ngazëllej, se ti e pe pikëllimin tim dhe e njohe mjerimin e shpirtit tim. Nuk më le të bie në dorë të armiqve, këmbët m'i vure në vend të gjerë. Mëshiromë, o ZOT, se jam ngushtë, nga brenga po më treten sytë, shpirti e trupi. Jeta po më mpaket në hidhërim e vitet po kalojnë mes lëngatash, më kanë lënë fuqitë prej paudhësisë e kockat po më treten. Jam bërë tallje për të gjithë armiqtë e shumë më tepër për fqinjët. Jam kthyer në tmerr për të njohurit e sa më shohin rrugës, ikin. Më kanë harruar fare, si të isha i vdekur, jam bërë porsi enë e thyer. Shpifjet e shumë njerëzve i dëgjova, tmerr nga të gjitha anët, janë bërë bashkë kundër meje, po kurdisin jetën të ma marrin. Por unë shpresoj te ti, o ZOT, e them: «Ti je Perëndia im!». Në duart e tua janë motet e mia, shpëtomë nga dora e armiqve të mi e prej atyre që më përndjekin. Shndrittë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, sipas mirësisë sate shpëtomë. Mos më turpëro, o ZOT, se ty të kam thirrur. U turpërofshin të paudhët e në skëterrë gojën mbyllshin. U mbyllshin buzët gënjeshtare, që kundër të drejtit tërë krenari flasin, tërë mburrje e përbuzje. Sa e madhe është mirësia jote, o ZOT, që ti e ruan për ata që të druajnë. Ua jep atyre që kërkojnë strehë te ti, në sytë e mbarë bijve të njerëzve. Nën strehën e pranisë sate i fsheh, larg kurtheve të njerëzve, nën banesën tënde i strehon, larg gjuhëve ngatërrestare. Bekuar qoftë ZOTI, se brenda qytetit të rrethuar me mrekullinë e mirësisë së tij më mbuloi. E unë, në hutimin tim, thosha: «Jam dëbuar larg syve të tu». Veçse, ti e dëgjove përgjërimin tim, kur unë ty të thirra. Duajeni ZOTIN, të gjithë ju besnikët e tij! ZOTI i mbron besimtarët e tij dhe shpaguan plotësisht kë vepron me krenari.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë