Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 18:21-50

Psalmet 18:21-50 AL1

Kështu bëri ZOTI me mua, se jam i drejtë, kështu më shpërbleu, se të pastra duart i kam. Udhët e ZOTIT kam ndjekur e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi. Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh, nga rregullat e tij nuk shmangem. Kam qenë i ndershëm me të dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur. ZOTI më shpërbleu, se jam i drejtë, se e pa që duart i kam të pastra. Njeriut besnik ti i qëndron besnik, me të ndershmin i ndershëm tregohesh. Me njeriun e pastër tregohesh i pastër, por me të mbrapshtin tregohesh dinak. Popullin e përvuajtur e shpëton, por sytë e krenarëve i ul poshtë. O ZOT, ti i jep dritë llambës sime, Perëndia im ma ndriçon errësirën. Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse, me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret. Udha e Perëndisë është e përsosur, fjala e ZOTIT e sprovuar në zjarr, ai është mburojë i të gjithë atyre që kërkojnë strehë tek ai. Kush tjetër është Perëndi veç ZOTIT? Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë? Perëndia që më dha forcë e ma bëri udhën të përsosur. Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit, në vende të larta më vuri të qëndroj. Duart m'i mësoi për betejë, që krahët e mi të ndejnë hark bronzi. Më dhe mburojën e shpëtimit tënd, e djathta jote m'u bë krah, mirësia jote më madhëroi. E shtrove udhën para hapave të mi e këmbët nuk më rrëshqitën. I ndoqa pas armiqtë e i zura, nuk do të kthehem pa i shkatërruar. I qëllova e më nuk ngrihen, ranë para këmbëve të mia. Më dhe forcë për të luftuar e ata që m'u ngritën kundër nën këmbë m'i përkule. I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin, ata që më urrenin i zhbiva. Klithën me të madhe, por s'kishte kush t'i shpëtonte, i thirrën edhe ZOTIT, por nuk iu përgjigj. I thërrmova si pluhurin që e merr era, i flaka jashtë si baltën e rrugës. Më çlirove nga grindjet e popullit, në krye të kombeve më vure, një popull që nuk më njihte më shërbeu. Me të dëgjuar për mua u bindën, bijtë e të huajve u përkulën para meje. U zbehën, u drodhën, e nga fortesat e tyre dolën. ZOTI është i gjallë! Bekuar qoftë shkëmbi im! Perëndia i shpëtimit tim u madhëroftë! Ai merr shpagim për mua, popujt nën këmbë m'i nënshtron dhe nga armiqtë e mi më çliron. Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi, prej njeriut të dhunshëm më shpëton. Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o ZOT, dhe emrin tënd përhimnoj.