Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 135:1-21

Psalmet 135:1-21 AL1

Aleluja! Lavdëroni emrin e ZOTIT, lavdërojeni, o shërbëtorë të ZOTIT, ju që rrini në shtëpinë e ZOTIT, në oborret e shtëpisë së Perëndisë sonë. Lavdërojeni ZOTIN, se ZOTI është i mirë, këndojini emrit të tij, se është i ëmbël. ZOTI e ka zgjedhur Jakobin për vete, Izraelin si thesarin e tij të çmuar. Unë e di mirë se ZOTI është i madh, se Zoti ynë është mbi gjithë perënditë. ZOTI bën gjithçka do, në qiej e mbi tokë, nëpër dete e në çdo thellësi. Retë i ngre lart nga skajet e tokës, bën vetëtimat për shiun, erën nga drithnikët e tij e nxjerr. Ai i vrau të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve dhe të kafshëve. Shenja e mrekulli bëri te ti, o Egjipt, para faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. Shfarosi kombe të shumtë, vrau mbretër të fuqishëm, Sihonin, mbretin e amoritëve, dhe Ogun, mbretin e Bashanit, gjithë mbretëritë e Kanaanit. Tokën e tyre e dha trashëgim, trashëgim Izraelit, popullit të vet. O ZOT, emri yt mbetet përjetë, kujtimi yt, o ZOT, brez pas brezi. ZOTI bën drejtësi për popullin e tij dhe me shërbëtorët e vet është i mëshirshëm. Idhujt e kombeve janë argjend e ar, vepër e dorës së njeriut. Kanë gojë, por nuk flasin, kanë sy, por nuk shikojnë, kanë veshë, por nuk dëgjojnë, e me gojë nuk marrin frymë. Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë, të gjithë sa kanë besim në ta. Bekoje ZOTIN, o shtëpi e Izraelit, bekoje ZOTIN, o shtëpi e Aronit! Bekoje ZOTIN, o shtëpi e Levit, bekojeni ZOTIN, ju që druani ZOTIN! Bekuar qoftë ZOTI prej Sionit, ai që banon në Jerusalem! Aleluja!

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë