Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:57-80

Psalmet 119:57-80 AL1

ZOTI është pjesa e trashëgimit tim, premtova se do t'i ruaj fjalët e tua. Ty t'u përgjërova me gjithë zemër, mëshiromë sipas fjalës sate. I shqyrtova mirë udhët e tua dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva. Shpejtova e nuk vonova urdhërimet e tua për t'i ruajtur. Leqet e të paudhëve më rrethuan, por ligjin tënd nuk e harrova. Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj për vendimet e tua të drejta. Jam mik me të gjithë ata që të druajnë e me ata që ruajnë porositë e tua. Toka është plot me mirësinë tënde, o ZOT, mësomë rregullat e tua. I bëre të mira shërbëtorit tënd, sipas fjalës sate, o ZOT. Mësomë dijen e të dalloj të mirën, se tek urdhërimet e tua kam besim. Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur, por tani mbaj fjalën tënde. I mirë je ti e të mira bën, mësomë rregullat e tua. Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime, por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua. U trash si dhjami zemra e tyre, ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd. Më bëri mirë që u mundova, se mësova rregullat e tua. Më i mirë për mua është ligji i gojës sate, sesa mijëra monedha ari e argjendi. Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, më jep mençuri, që të mësoj urdhërimet e tua. Ata që të druajnë gëzojnë kur më shohin, sepse kam shpresuar në fjalën tënde. E di, o ZOT, se vendimet e tua janë të drejta, me të drejtë më ke munduar. Më ngushëlloftë, pra, mirësia jote, sipas fjalës që i dhe shërbëtorit tënd. Ardhtë mëshira jote mbi mua, që të jetoj, se ligji yt është kënaqësia ime. U turpërofshin kryelartët, se më kanë shtypur padrejtësisht, ndërsa unë do të përsiat porositë e tua. Le të kthehen tek unë ata që të druajnë dhe ata që i njohin dëshmitë e tua. Qoftë e përsosur zemra ime me rregullat e tua, që të mos turpërohem.