Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:25-56

Psalmet 119:25-56 AL1

Nëpër pluhur zvarritet shpirti im, jepmë jetë sipas fjalës sate. Udhët e mia t'i dëftova e ti m'u përgjigje, mësomë rregullat e tua. Bëmë të kuptoj udhën e porosive të tua, që të përsiat mrekullitë e tua. Lëngon prej brengës shpirti im, jepmë forcë sipas fjalës sate. Mbamë larg udhës së mashtrimit dhe përdëllemë me ligjin tënd. Kam zgjedhur udhën e besnikërisë, jam dhënë pas vendimeve të tua. Jam kapur pas dëshmive të tua, o ZOT, mos lejo të turpërohem! Udhës së urdhërimeve të tua vrapoj, se ti ma bëre zemrën të gufojë. Mësomë, o ZOT, udhën e rregullave të tua, dhe unë do ta ndjek deri në fund. Me jep mençuri për të mbajtur ligjin tënd e unë do ta ruaj me gjithë zemër. Primë në shtegun e urdhërimeve të tua, se atje gjej kënaqësi. Prire zemrën time drejt dëshmive të tua e jo drejt lakmisë. Largo sytë e mi nga soditja e kotësisë, jepmë jetë në udhët e tua. Mbaje premtimin që i dhe shërbëtorit tënd, atij që të druan ty. Largoje prej meje poshtërimin, që më tmerron, se vendimet e tua janë të mira. Ja, sa i dëshiroj porositë e tua, jepmë jetë me drejtësinë tënde. Ardhtë mbi mua mirësia jote, o ZOT, shpëtimi yt, sipas fjalës sate, që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë, se te fjala jote kam besim. Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës, se në vendimet e tua kam shpresuar. Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë, përherë e në amshim. Do të eci udhës së gjerë, sepse kërkoj porositë e tua. Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e turp nuk do të kem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, që aq fort i dua. Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua, rregullat e tua do t'i përsiat. Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më dhe shpresë. Atë e kam ngushëllim në pikëllime, fjala jote më mban gjallë. Kryelartët më përqeshnin së tepërmi, por unë nuk u shmanga nga ligji yt. Kujtova vendimet e tua të lashta, o ZOT, dhe gjeta ngushëllim. Më pushtoi zemërimi për të paudhët, për ata që braktisin ligjin tënd. Rregullat e tua ishin këngë për mua atje ku isha shtegtar. Kujtova emrin tënd natën, o ZOT, dhe ligjin tënd e ruajta. Këto më ndodhën mua, se mbajta porositë e tua.