Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:129-152

Psalmet 119:129-152 AL1

Dëshmitë e tua janë të mrekullueshme, prandaj i ruan shpirti im. Zbulimi i fjalëve të tua sjell ndriçim, njerëzve të thjeshtë u jep mençuri. Hapa gojën e dihata nga dëshirimi për urdhërimet e tua. Kthehu nga unë e mëshiromë, sipas vendimit që ke marrë për ata që duan emrin tënd. Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate e mos lejo të më sundojë asnjë paudhësi. Çliromë nga njerëzit që më shtypin, që të ruaj porositë e tua. Le të ndriçojë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, mësomë rregullat e tua. Rrëke lotësh derdhën sytë e mi, se ligji yt nuk zbatohet. I drejtë je ti, o ZOT, të drejta vendimet e tua. Ti ke dhënë dëshmi të drejta e më se të besueshme. Zelli po më bren, se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e sprovuar në zjarr, prandaj shërbëtori yt e do. I vogël jam unë e i përbuzur, por porositë e tua nuk i harrova. Drejtësia jote është e drejtë përjetë dhe ligji yt është i vërtetë. Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi, por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua. Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar, bëmë të kuptoj, që të kem jetë. Po thërras me gjithë zemër, përgjigjmu, o ZOT, rregullat e tua do t'i ruaj. Po të thërras, shpëtomë, dëshmitë e tua do t'i ruaj. Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë, shpresoj në fjalën tënde. Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës, për të përsiatur fjalët e tua. Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate, o ZOT, jepmë jetë sipas gjykimit tënd. Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë, larg janë nga ligji yt. Por ti, o ZOT, je afër dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua se i ke caktuar për amshim.