Psalmet 119:129-144
Psalmet 119:129-144 AL1
Dëshmitë e tua janë të mrekullueshme, prandaj i ruan shpirti im. Zbulimi i fjalëve të tua sjell ndriçim, njerëzve të thjeshtë u jep mençuri. Hapa gojën e dihata nga dëshirimi për urdhërimet e tua. Kthehu nga unë e mëshiromë, sipas vendimit që ke marrë për ata që duan emrin tënd. Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate e mos lejo të më sundojë asnjë paudhësi. Çliromë nga njerëzit që më shtypin, që të ruaj porositë e tua. Le të ndriçojë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, mësomë rregullat e tua. Rrëke lotësh derdhën sytë e mi, se ligji yt nuk zbatohet. I drejtë je ti, o ZOT, të drejta vendimet e tua. Ti ke dhënë dëshmi të drejta e më se të besueshme. Zelli po më bren, se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e sprovuar në zjarr, prandaj shërbëtori yt e do. I vogël jam unë e i përbuzur, por porositë e tua nuk i harrova. Drejtësia jote është e drejtë përjetë dhe ligji yt është i vërtetë. Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi, por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua. Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar, bëmë të kuptoj, që të kem jetë.

