Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:1-48

Psalmet 119:1-48 AL1

Lum njerëzit me sjellje të përsosur, që ecin sipas ligjit të ZOTIT! Lum ata që mbajnë dëshmitë e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër, që nuk kryejnë paudhësi, por ecin në udhët e tij. Ti ke dhënë porositë e tua, që me përpikëri të ruhen. Qoftë e palëkundur sjellja ime, që rregullat e tua t'i ruaj. Atëherë nuk kam për t'u turpëruar, kur të këqyr gjithë urdhërimet e tua. Do të të përlëvdoj me zemër të dëlirë, teksa mësoj vendimet e tua të drejta. Rregullat e tua do t'i ruaj, mos më braktis krejt! Si mund ta ruajë i riu të pastër udhën e vet? Duke ruajtur fjalën tënde. Ty të kërkoj me gjithë zemër, mos më lër t'u shmangem urdhërimeve të tua. Thëniet e tua i mbaj fshehur në zemër, që të mos mëkatoj kundër teje. I bekuar je, o ZOT, mësomë rregullat e tua. Me buzët e mia i shpalla tërë vendimet e gojës sate. Gëzohem kur ndjek dëshmitë e tua, si të ishin gjithë pasuria ime. Do të përsiat porositë e tua, do të thellohem në shtigjet e tua. Me rregullat e tua do të kënaqem, fjalën tënde nuk do ta harroj. Tregohu i mirë me shërbëtorin tënd, që të jetoj e të ruaj fjalën tënde. Hapmi sytë, që të sodis mrekullitë e ligjit tënd. Kalimtar jam unë mbi tokë, mos m'i fshih urdhërimet e tua. Tretet shpirti im prej dëshirës që ka për vendimet e tua kurdoherë. Ti i qorton kryelartët, të mallkuarit, që u shmangen urdhërimeve të tua. Largoje prej meje turpin e poshtërimin, se dëshmitë e tua i kam ruajtur. Edhe kur prijësit mblidhen e flasin kundër meje, shërbëtori yt përsiat rregullat e tua. Dëshmitë e tua janë kënaqësia ime, ato janë këshilltarët e mi. Nëpër pluhur zvarritet shpirti im, jepmë jetë sipas fjalës sate. Udhët e mia t'i dëftova e ti m'u përgjigje, mësomë rregullat e tua. Bëmë të kuptoj udhën e porosive të tua, që të përsiat mrekullitë e tua. Lëngon prej brengës shpirti im, jepmë forcë sipas fjalës sate. Mbamë larg udhës së mashtrimit dhe përdëllemë me ligjin tënd. Kam zgjedhur udhën e besnikërisë, jam dhënë pas vendimeve të tua. Jam kapur pas dëshmive të tua, o ZOT, mos lejo të turpërohem! Udhës së urdhërimeve të tua vrapoj, se ti ma bëre zemrën të gufojë. Mësomë, o ZOT, udhën e rregullave të tua, dhe unë do ta ndjek deri në fund. Me jep mençuri për të mbajtur ligjin tënd e unë do ta ruaj me gjithë zemër. Primë në shtegun e urdhërimeve të tua, se atje gjej kënaqësi. Prire zemrën time drejt dëshmive të tua e jo drejt lakmisë. Largo sytë e mi nga soditja e kotësisë, jepmë jetë në udhët e tua. Mbaje premtimin që i dhe shërbëtorit tënd, atij që të druan ty. Largoje prej meje poshtërimin, që më tmerron, se vendimet e tua janë të mira. Ja, sa i dëshiroj porositë e tua, jepmë jetë me drejtësinë tënde. Ardhtë mbi mua mirësia jote, o ZOT, shpëtimi yt, sipas fjalës sate, që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë, se te fjala jote kam besim. Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës, se në vendimet e tua kam shpresuar. Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë, përherë e në amshim. Do të eci udhës së gjerë, sepse kërkoj porositë e tua. Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e turp nuk do të kem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, që aq fort i dua. Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua, rregullat e tua do t'i përsiat.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Psalmet 119:1-48

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë