Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:1-176

Psalmet 119:1-176 AL1

Lum njerëzit me sjellje të përsosur, që ecin sipas ligjit të ZOTIT! Lum ata që mbajnë dëshmitë e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër, që nuk kryejnë paudhësi, por ecin në udhët e tij. Ti ke dhënë porositë e tua, që me përpikëri të ruhen. Qoftë e palëkundur sjellja ime, që rregullat e tua t'i ruaj. Atëherë nuk kam për t'u turpëruar, kur të këqyr gjithë urdhërimet e tua. Do të të përlëvdoj me zemër të dëlirë, teksa mësoj vendimet e tua të drejta. Rregullat e tua do t'i ruaj, mos më braktis krejt! Si mund ta ruajë i riu të pastër udhën e vet? Duke ruajtur fjalën tënde. Ty të kërkoj me gjithë zemër, mos më lër t'u shmangem urdhërimeve të tua. Thëniet e tua i mbaj fshehur në zemër, që të mos mëkatoj kundër teje. I bekuar je, o ZOT, mësomë rregullat e tua. Me buzët e mia i shpalla tërë vendimet e gojës sate. Gëzohem kur ndjek dëshmitë e tua, si të ishin gjithë pasuria ime. Do të përsiat porositë e tua, do të thellohem në shtigjet e tua. Me rregullat e tua do të kënaqem, fjalën tënde nuk do ta harroj. Tregohu i mirë me shërbëtorin tënd, që të jetoj e të ruaj fjalën tënde. Hapmi sytë, që të sodis mrekullitë e ligjit tënd. Kalimtar jam unë mbi tokë, mos m'i fshih urdhërimet e tua. Tretet shpirti im prej dëshirës që ka për vendimet e tua kurdoherë. Ti i qorton kryelartët, të mallkuarit, që u shmangen urdhërimeve të tua. Largoje prej meje turpin e poshtërimin, se dëshmitë e tua i kam ruajtur. Edhe kur prijësit mblidhen e flasin kundër meje, shërbëtori yt përsiat rregullat e tua. Dëshmitë e tua janë kënaqësia ime, ato janë këshilltarët e mi. Nëpër pluhur zvarritet shpirti im, jepmë jetë sipas fjalës sate. Udhët e mia t'i dëftova e ti m'u përgjigje, mësomë rregullat e tua. Bëmë të kuptoj udhën e porosive të tua, që të përsiat mrekullitë e tua. Lëngon prej brengës shpirti im, jepmë forcë sipas fjalës sate. Mbamë larg udhës së mashtrimit dhe përdëllemë me ligjin tënd. Kam zgjedhur udhën e besnikërisë, jam dhënë pas vendimeve të tua. Jam kapur pas dëshmive të tua, o ZOT, mos lejo të turpërohem! Udhës së urdhërimeve të tua vrapoj, se ti ma bëre zemrën të gufojë. Mësomë, o ZOT, udhën e rregullave të tua, dhe unë do ta ndjek deri në fund. Me jep mençuri për të mbajtur ligjin tënd e unë do ta ruaj me gjithë zemër. Primë në shtegun e urdhërimeve të tua, se atje gjej kënaqësi. Prire zemrën time drejt dëshmive të tua e jo drejt lakmisë. Largo sytë e mi nga soditja e kotësisë, jepmë jetë në udhët e tua. Mbaje premtimin që i dhe shërbëtorit tënd, atij që të druan ty. Largoje prej meje poshtërimin, që më tmerron, se vendimet e tua janë të mira. Ja, sa i dëshiroj porositë e tua, jepmë jetë me drejtësinë tënde. Ardhtë mbi mua mirësia jote, o ZOT, shpëtimi yt, sipas fjalës sate, që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë, se te fjala jote kam besim. Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës, se në vendimet e tua kam shpresuar. Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë, përherë e në amshim. Do të eci udhës së gjerë, sepse kërkoj porositë e tua. Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e turp nuk do të kem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, që aq fort i dua. Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua, rregullat e tua do t'i përsiat. Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më dhe shpresë. Atë e kam ngushëllim në pikëllime, fjala jote më mban gjallë. Kryelartët më përqeshnin së tepërmi, por unë nuk u shmanga nga ligji yt. Kujtova vendimet e tua të lashta, o ZOT, dhe gjeta ngushëllim. Më pushtoi zemërimi për të paudhët, për ata që braktisin ligjin tënd. Rregullat e tua ishin këngë për mua atje ku isha shtegtar. Kujtova emrin tënd natën, o ZOT, dhe ligjin tënd e ruajta. Këto më ndodhën mua, se mbajta porositë e tua. ZOTI është pjesa e trashëgimit tim, premtova se do t'i ruaj fjalët e tua. Ty t'u përgjërova me gjithë zemër, mëshiromë sipas fjalës sate. I shqyrtova mirë udhët e tua dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva. Shpejtova e nuk vonova urdhërimet e tua për t'i ruajtur. Leqet e të paudhëve më rrethuan, por ligjin tënd nuk e harrova. Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj për vendimet e tua të drejta. Jam mik me të gjithë ata që të druajnë e me ata që ruajnë porositë e tua. Toka është plot me mirësinë tënde, o ZOT, mësomë rregullat e tua. I bëre të mira shërbëtorit tënd, sipas fjalës sate, o ZOT. Mësomë dijen e të dalloj të mirën, se tek urdhërimet e tua kam besim. Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur, por tani mbaj fjalën tënde. I mirë je ti e të mira bën, mësomë rregullat e tua. Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime, por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua. U trash si dhjami zemra e tyre, ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd. Më bëri mirë që u mundova, se mësova rregullat e tua. Më i mirë për mua është ligji i gojës sate, sesa mijëra monedha ari e argjendi. Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, më jep mençuri, që të mësoj urdhërimet e tua. Ata që të druajnë gëzojnë kur më shohin, sepse kam shpresuar në fjalën tënde. E di, o ZOT, se vendimet e tua janë të drejta, me të drejtë më ke munduar. Më ngushëlloftë, pra, mirësia jote, sipas fjalës që i dhe shërbëtorit tënd. Ardhtë mëshira jote mbi mua, që të jetoj, se ligji yt është kënaqësia ime. U turpërofshin kryelartët, se më kanë shtypur padrejtësisht, ndërsa unë do të përsiat porositë e tua. Le të kthehen tek unë ata që të druajnë dhe ata që i njohin dëshmitë e tua. Qoftë e përsosur zemra ime me rregullat e tua, që të mos turpërohem. Shpirti im digjet për shpëtimin tënd, në fjalën tënde kam shpresuar. Sytë po më treten për fjalën tënde, prandaj thashë: «Kur do të më ngushëllosh?». Jam bërë si caliku i tharë në tym, por rregullat e tua s'i kam harruar. Edhe sa ditë i kanë mbetur shërbëtorit tënd? Kur do t'ua bësh gjyqin përndjekësve të mi? Kryelartët kanë hapur gropa për mua, ata që s'jetojnë sipas ligjit tënd. Tërë urdhërimet e tua janë të vërteta; po më përndjekin pa të drejtë, ndihmomë! Desh më plandosën përtokë, por unë s'i braktisa porositë e tua. Jepmë jetë sipas mirësisë sate dhe dëshmitë e gojës sate do t'i ruaj. Përgjithmonë, o ZOT, fjala jote qëndron në qiej. Besnikëria jote është brez pas brezi, ti e themelove tokën e ajo mbahet fort. Me urdhrin tënd qëndrojnë deri më sot, se gjithçka është në shërbimin tënd. Po të mos ishte ligji yt kënaqësia ime, do të kisha humbur në mjerim. Porositë e tua nuk do t'i harroj kurrë, se përmes tyre më ke mbajtur gjallë. Yti jam unë, shpëtomë, se porositë e tua i kërkoj. Të paudhët presin të më shkatërrojnë, por unë përsiat dëshmitë e tua. Çdo përsosmërie ia kam parë cakun, por urdhërimi yt është i gjerë pa fund. Sa shumë e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e përsiat! Urdhërimi yt më bën më të urtë se armiqtë, se është përherë me mua. Jam më i ditur se të gjithë mësuesit e mi, sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime. Jam më i mençur edhe se pleqtë, sepse mbaj porositë e tua. I kam shmangur këmbët nga çdo udhë e keqe, që të ruaj fjalën tënde. Prej vendimeve të tua nuk jam shmangur, sepse më ke mësuar ti. Sa të ëmbla fjalët e tua për qiellzën time, më të ëmbla se mjalti në gojën time! Prej porosive të tua bëhem më i mençur, prandaj e urrej çdo udhë të gënjeshtërt. Fjala jote është llambë për këmbën time, dritë për shtegun tim. Jam betuar e fjalën do ta mbaj: vendimet e tua të drejta do t'i ruaj. Jam munduar së tepërmi, o ZOT, jepmë jetë sipas fjalës sate! Pranoji, o ZOT, zotimet e gojës sime dhe mësomë vendimet e tua. Jeta ime është përherë në rrezik, por ligjin tënd nuk e harroj. Të paudhët më kanë ngritur kurth, por nuk u jam shmangur porosive të tua. Dëshmitë e tua janë trashëgimia ime përjetë, se ato janë gëzimi i zemrës sime. E kam vendosur në zemrën time, që rregullat e tua t'i zbatoj përjetë, deri në fund. I urrej ata që janë me dy fytyra, por e dua ligjin tënd. Ti je streha dhe mburoja ime, shpresoj në fjalën tënde. Largohuni prej meje, o ju që bëni të keqen, që të zbatoj urdhërimet e Perëndisë tim. Përkrahmë sipas fjalës sate, që të jetoj, e mos lejo të më shuhen shpresat. Mbamë fort e do të shpëtoj, rregullat e tua do t'i kem përherë në mendje. Ti i hedh poshtë të gjithë sa u shmangen rregullave të tua, se ata janë plot gënjeshtër e mashtrim. Gjithë të këqijtë i zhbin si zgjyrë nga faqja e dheut, prandaj unë i dua dëshmitë e tua. Më dridhet mishi prej frikës sate, prej gjykimeve të tua më zë tmerri. Kam vepruar me gjykim e drejtësi, mos më lër në dorë të shtypësve të mi. Bëhu dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, që të mos më shtypin kryelartët. Sytë po më treten për shpëtimin tënd e për fjalën e drejtësisë sate. Vepro me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate e mësomë rregullat e tua. Shërbëtori yt jam unë, bëmë të kuptoj, që t'i njoh dëshmitë e tua. Është koha të veprosh, o ZOT, se e kanë thyer ligjin tënd. Prandaj i dua urdhërimet e tua, më shumë se arin, arin e kulluar. Prandaj i mbaj si të drejta gjithë porositë e tua dhe e urrej çdo udhë të gënjeshtërt. Dëshmitë e tua janë të mrekullueshme, prandaj i ruan shpirti im. Zbulimi i fjalëve të tua sjell ndriçim, njerëzve të thjeshtë u jep mençuri. Hapa gojën e dihata nga dëshirimi për urdhërimet e tua. Kthehu nga unë e mëshiromë, sipas vendimit që ke marrë për ata që duan emrin tënd. Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate e mos lejo të më sundojë asnjë paudhësi. Çliromë nga njerëzit që më shtypin, që të ruaj porositë e tua. Le të ndriçojë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, mësomë rregullat e tua. Rrëke lotësh derdhën sytë e mi, se ligji yt nuk zbatohet. I drejtë je ti, o ZOT, të drejta vendimet e tua. Ti ke dhënë dëshmi të drejta e më se të besueshme. Zelli po më bren, se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e sprovuar në zjarr, prandaj shërbëtori yt e do. I vogël jam unë e i përbuzur, por porositë e tua nuk i harrova. Drejtësia jote është e drejtë përjetë dhe ligji yt është i vërtetë. Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi, por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua. Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar, bëmë të kuptoj, që të kem jetë. Po thërras me gjithë zemër, përgjigjmu, o ZOT, rregullat e tua do t'i ruaj. Po të thërras, shpëtomë, dëshmitë e tua do t'i ruaj. Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë, shpresoj në fjalën tënde. Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës, për të përsiatur fjalët e tua. Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate, o ZOT, jepmë jetë sipas gjykimit tënd. Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë, larg janë nga ligji yt. Por ti, o ZOT, je afër dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua se i ke caktuar për amshim. Shih mjerimin tim e çliromë, se nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbroje çështjen time e shpengomë, jepmë jetë sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të paudhët, se nuk i kërkojnë rregullat e tua. Përdëllimet e tua janë të mëdha, o ZOT, jepmë jetë sipas vendimeve të tua. Të shumtë janë përndjekësit dhe armiqtë e mi, por nga dëshmitë e tua nuk jam shmangur. I pashë të pabesët e më erdhi pështirë, se nuk e mbajtën fjalën tënde. Shih sa i dua porositë e tua, o ZOT, jepmë jetë sipas mirësisë sate. Parimi i fjalës sate është e vërteta, çdo vendim i yt i drejtë është për amshim. Prijësit më përndjekin pa shkak, por zemra ime trembet veç prej fjalës sate. Ngazëllej për fjalën tënde, si ai që gjen shumë plaçkë. E urrej mashtrimin e më kall krupën, por ligjin tënd e dua. Të lavdëroj shtatë herë në ditë për vendimet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që duan ligjin tënd, asgjë nuk i pengon. Shpëtimin tënd pres, o ZOT, dhe mbaj urdhërimet e tua. Shpirti im i ruan dëshmitë e tua e unë fort i dua. Porositë dhe dëshmitë e tua i kam mbajtur, gjithë udhët e mia janë para teje. Ardhtë përgjërimi im para teje, o ZOT, bëmë të kuptoj sipas fjalës sate. Mbërrittë lutja ime para teje, sipas fjalës sate çliromë. Nga buzët e mia do të burojnë lavde, se më ke mësuar rregullat e tua. Gjuha ime shpalltë fjalën tënde, se gjithë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ardhtë në ndihmë, se kam zgjedhur porositë e tua. Shumë e dëshiroj shpëtimin tënd, o ZOT, ligji yt është kënaqësia ime. Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë, vendimet e tua më ndihmofshin! Po endem si delja e humbur, kërkoje shërbëtorin tënd, se urdhërimet e tua nuk i kam harruar.