Bekoje ZOTIN, o shpirti im,
dhe gjithë qenia ime emrin e tij të shenjtë.
Bekoje ZOTIN, o shpirti im,
dhe mos i harro bamirësitë e tij.
Ai fal tërë paudhësitë e tua,
ai shëron tërë sëmundjet e tua.
Ta shpëton jetën prej varrit,
të kurorëzon me mirësi e dhembshuri.
Ai ta mbush jetën me të mira,
ai të rinon si shqiponjën.
ZOTI bën vepra të drejta,
u jep drejtësi të shtypurve.
Udhët e tij ia dëftoi Moisiut,
veprat e tij bijve të Izraelit.
ZOTI është i dhembshur e i mëshirshëm,
i duruar e plot mirësi.
Nuk padit përgjithmonë,
as mban mëri përjetë.
Nuk na trajton sipas mëkateve tona,
as na shpaguan sipas paudhësive tona.
Sa lart është qielli nga toka,
aq e madhe është mirësia e tij për ata që e druajnë.
Sa larg është lindja nga perëndimi,
aq i largon prej nesh paudhësitë tona.
Siç i dhimbsen bijtë një ati,
ashtu i dhimbsen ZOTIT ata që e druajnë.
Se ai e di si jemi krijuar,
nuk harron që jemi pluhur.
Ditët e njeriut janë si bari,
ai lulëzon si lulja e fushës.
Fryn era dhe e shuan,
nuk dihet as ku ka qenë.
Por mirësia e ZOTIT mbetet përjetë e në amshim për ata që e druajnë
dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve të tyre,
për ata që mbajnë besëlidhjen e tij,
që zbatojnë pa harruar porositë e tij.
ZOTI e ka vendosur fronin në qiell,
mbretëria e tij sundon gjithçka.
Bekojeni ZOTIN, o ju engjëjt e tij të fortë e të fuqishëm,
ju që zbatoni urdhrat e tij, sapo dëgjoni fjalët e tij.
Bekojeni ZOTIN, gjithë ju ushtritë e tij,
ju shërbestarët e tij, që bëni vullnetin e tij.
Bekojeni ZOTIN, gjithë ju veprat e Zotit,
në çdo vend ku ai sundon.
Bekoje ZOTIN, o shpirti im!