Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 10:1-18

Psalmet 10:1-18 AL1

Përse rri larg, o ZOT? Pse fshihesh në kohë të vështira? I paudhi shfrytëzon me mburrje skamnorin; rënçin në kurthet që ngritën vetë. Me dëshirat e veta mburret i paudhi, ndërsa lakmitari shan e mallkon ZOTIN. I paudhi e mban hundën përpjetë e nuk kërkon, mendon se nuk ka Perëndi. Punët i venë gjithnjë mbarë, gjykimet e tua janë larg prej tij dhe kundërshtarët i fshin me një frymë. Thotë me vete: «Nuk do të trandem, kurrë nuk do më gjejë e keqja». Goja e tij është plot mallkime, mashtrime e dhunë, nën gjuhë ka ligësi e poshtërsi. Zë pritë nëpër fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta e me sy përgjon fatkeqin. Fshihet e pret si luani në strofull, pret për të rrëmbyer skamnorin, e rrëmben dhe e zvarrit në rrjetën e tij. Struket e mblidhet kruspull dhe para forcës së tij fatkeqët bien. I paudhi thotë me vete: «Perëndia harron, është fshehur e nuk sheh gjë». Ngrihu, o ZOT, ngrije dorën, o Perëndi, e mos i harro skamnorët. Pse i paudhi e përçmon Perëndinë e thotë me vete: «Ti nuk do të më shqyrtosh?». Por ti ke parë, se ti e sheh ligësinë dhe brengën, ti i peshon me dorën tënde. Te ti mbështetet fatkeqi, ti je ndihmësi i jetimit. Thyeja krahun të paudhit e të ligut, hetoje për paudhësinë gjer në fund. ZOTI mbretëron përjetë, por kombet zhduken nga toka e tij. Dëshirën e të përulurve ti e dëgjon, o ZOT, ua forcon zemrën e bën kujdes, që t'i japësh të drejtë jetimit e të shtypurit, që njeriu i dheshëm të mos tmerrojë më askënd.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë