ZOTI më bëri fillimin e udhës së tij,
pikënisjen e veprave të tij qëkur.
Qëmoti kam qenë caktuar,
që në krye të herës,
para se toka të zinte fill.
Kur ende s'kishte humnera,
unë isha lindur.
Kur s'kishte ende gurra me ujë të bollshëm,
para se të ngriheshin malet
e para se të ishin kodrat,
unë isha lindur.
Ende nuk e kishte krijuar tokën, as fushat,
as të parin pluhur të botës.
Kur i nguliti qiejt, unë isha aty.
Kur skajoi humnerën,
kur i ngjeshi retë atje lart,
kur i forcoi gurrat e humbëtirës,
kur u vuri cakun detit
e ujërave, që të mos vërshojnë,
kur hodhi themelet e tokës,
unë isha pranë tij si kryemjeshtër.
Isha ditë për ditë gëzimi i tij,
dëfrehesha para tij përherë,
duke luajtur me rruzullin e tokës
e duke u ngazëlluar me bijtë e njerëzve.
Prandaj, bijtë e mi, dëgjomëni:
lum ata që ndjekin udhët e mia!
Dëgjojeni porosinë, bëhuni të urtë
e mos e shpërfillni.
Lum njeriu që më dëgjon mua,
që vëzhgon përditë dyert e mia
e pret te pragjet e hyrjeve të mia.
Kush më gjen mua, gjen jetën
e fiton përkrahjen e ZOTIT,
por kush mëkaton ndaj meje, lëndon veten.
Të gjithë ata që më urrejnë mua,
duan vdekjen».