Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 6:16-35

Fjalët e urta 6:16-35 AL1

Gjashtë gjëra urren ZOTI, madje shtatë i neveriten: sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjakun e pafaj, zemra që sheston synime të liga, këmbët që turren kah e keqja, dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra e kush mbjell ndasi ndër vëllezër. Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd, e mos e shpërfill mësimin e nënës sate, ngulite përgjithmonë në zemër e vare rreth qafës, se, kur ecën, të drejton, kur pushon, të ruan e kur zgjohesh, të flet. Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë. Parimet qortuese janë udha e jetës, se të ruajnë nga gruaja e përdalë, nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur. Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj e mos bjer pre e qepallave të saj, se gruaja lavire lyp veç një copë bukë, por gruaja e martuar të merr nderin e jetës. Po burri, a e mban dot zjarrin në gji, pa i djegur petkat? A ecën njeriu mbi prush pa iu përcëlluar këmbët? As ai që i qaset gruas së huaj, që e prek atë, nuk do t'i ikë ndëshkimit. Vjedhësi nuk poshtërohet po vodhi prej urisë, për të mbajtur shpirtin gjallë, por po u kap, do të kthejë shtatëfishin e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë. Kush shkel kurorën, është i pamend, kush bën kështu, shkatërron jetën e vet. Marre e plagë do të mbledhë e turpi i tij nuk do të shlyhet, se xhelozia e burrit është e tërbuar, ai s'do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes. Ai s'pajtohet me asnjë dëmshpërblim, nuk pranon asnjë mitëmarrje.