Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 31:10-31

Fjalët e urta 31:10-31 AL1

A ka kush e gjen një grua të zonjën? Më e çmuar se margaritarët vlera e saj. Besim ka tek ajo zemra e burrit të saj e nuk do t'i mungojë fitimi. Gëzim i jep ajo e jo hidhërim, në të gjitha ditët e jetës së saj. Del e gjen li e lesh, duart i vë në punë me zell. Hiqet porsi anije tregtare që sjell ushqim së largu. Vetë zgjohet që me natë, për t'i dhënë ushqim shtëpisë e detyrat shërbëtoreve. Zë e mendon për një arë dhe e blen, me çfarë ka fituar, mbjell vreshtin. Hedh brezin ijëve tërë fuqi, fort u jep krahëve. Të mbarën e punës së vet shikon e natën llamba e saj nuk shuhet. Ja, shtrin dorën e merr furkën, boshtin në pëllëmbë e mban. Kundrejt skamnorit hap krahët, kundrejt nevojtarit shtrin dorën. Le të mos trembet nga dëbora, se e gjithë familja ka nga dy petka. Mbulojë thur për vete, vishet me li e mëndafsh. Njeri i njohur është i shoqi në qytet, kur rri me krerët e vendit. Sajon petka liri për të shitur, u jep tregtarëve breza. Ajo është veshur me forcë e nder, e pret të ardhmen buzagaz. Përherë gojën me urti e hap e gjuha e saj është mësim mirësie. Caqet e shtëpisë së vet vëzhgon e nuk ha bukën e përtacisë. Qëndrojnë lart bijtë e saj dhe e lavdërojnë, i shoqi e përlëvdon kështu: «Rangë kanë bërë shumë gra, por të gjithave ua ke kaluar!». Shtirake është hijeshia dhe e kotë bukuria, por gruaja që druan ZOTIN do të lavdërohet. Thurin lavde veprat e saj për të në qytet. Jepini asaj nga frytet e duarve të veta.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë