Pali e Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezu, po ju shkruajmë të gjithë të shenjtëve në Krishtin Jezu, peshkopëve e dhjakëve që janë në Filipi: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
E falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj. Në çdo lutje që bëj, gjithmonë, lutem me gëzim për ju të gjithë, për pjesëmarrjen tuaj në dobi të ungjillit nga dita e parë deri tani. Jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta përfundojë deri në ditën kur do të vijë Krishti Jezu.
Është e drejtë që unë të mendoj kështu për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër. Ju të gjithë merrni pjesë në hirin që m'u dha mua për të mbrojtur e për të dëshmuar ungjillin, si tani që jam në pranga, ashtu edhe atëherë kur isha i lirë. Kam Perëndinë për dëshmitar sesi digjem nga malli për ju të gjithë me dhembshurinë e Krishtit Jezu.
Unë lutem që dashuria juaj të rritet gjithnjë e më shumë e të pasurohet me dije e me aftësi për të kuptuar, që të jeni në gjendje të dalloni më të mirën dhe të jeni të dëlirë e të pafajshëm në ditën e ardhjes së Krishtit, të mbushur plot me frytet e drejtësisë që vijnë prej Jezu Krishtit, për lavdinë e lavdërimin e Perëndisë.
Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit. Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin. Pjesa më e madhe e vëllezërve morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë.
Është e vërtetë që disa e predikojnë Krishtin me smirë e sedër të sëmurë, por disa të tjerë e predikojnë nga vullneti i mirë. Këta e shpallin Krishtin nga dashuria, sepse e dinë se jam ngarkuar nga Perëndia për të mbrojtur ungjillin, ndërsa ata të tjerët e predikojnë Krishtin nga sedra e sëmurë, pa sinqeritet, duke menduar se kështu i shtojnë më tepër vuajtje prangosjes sime. Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me hipokrizi a me sinqeritet, Krishti predikohet e për këtë gëzohem. Dhe përsëri do të gëzohem, sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim. Këtë pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë, edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, si përmes jetës, edhe përmes vdekjes.