Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 7:1-41

Numrat 7:1-41 AL1

Pasi përfundoi së ndërtuari tendën, Moisiu e vajosi dhe e shenjtëroi bashkë me tërë orenditë përkatëse, me altarin dhe me enët përkatëse. Atëherë prijësit e Izraelit, ata që u përmendën në numërimin e popullsisë si krerë të familjeve të etërve e prijës të fiseve, i flijuan ZOTIT gjashtë qerre të mbuluara dhe dymbëdhjetë qe. Një qerre për çdo dy prijës dhe një ka për secilin. Këto i sollën para tendës. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Merri prej tyre që të përdoren në shërbim të tendës së takimit e jepua levitëve sipas detyrës që kanë». Kështu, Moisiu i mori qerret dhe qetë e ua dha levitëve. Gershonitëve u dha dy qerre dhe katër qe, sipas detyrave që kishin. Meraritëve u dha katër qerre dhe tetë qe, sipas detyrave që kishin nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron. Kohatitëve nuk u dha gjë, sepse ata kujdeseshin për gjërat e shenjta duke i mbartur në krahë. Në ditën kur u vajos altari, prijësit sollën para altarit dhurata për kushtimin e tij. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Prijësit të kushtojnë me rradhë, çdo ditë nga një prijës». Ditën e parë kushtoi Nahshoni, biri i Aminadabit nga fisi i Judës. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Nahshoni, biri i Aminadabit. Ditën e dytë kushtoi Netaneli, biri i Cuarit, prijësi i Isaharit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Netaneli, biri i Cuarit. Ditën e tretë kushtoi Eliabi, biri i Helonit, prijësi i Zabulonit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Eliabi, biri i Helonit. Ditën e katërt kushtoi Elicuri, biri i Shedeurit, prijësi i Rubenit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Elicuri, biri i Shedeurit. Ditën e pestë kushtoi Shelumieli, biri i Curishadait, prijësi i Simeonit. Ai kushtoi një pjatë e një kupë të argjendtë. Ato peshonin një kilogram e gjysmë dhe tetëqind gramë sipas peshës së shenjtërores. I kishte mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si fli drithi. Kushtoi edhe një tas të artë, që peshonte njëqind e dhjetë gramë, të mbushur me temjan, një dem, një dash e një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një cjap si fli mëkati. Ndërsa për fli paqtimi kushtoi dy qe, pesë desh, pesë cjep e pesë qengja motakë. Këto kushtoi Shelumieli, biri i Curishadait.