ZOTI foli me Moisiun e i tha: «Thuaju izraelitëve: kur gruaja e dikujt dredhon nga i shoqi, e tradhton atë, dhe me të fle fshehurazi dikush tjetër pa e marrë vesh i shoqi që ajo ka përdhosur veten, nëse nuk ka asnjë dëshmitar dhe ajo nuk kapet në aktin e tradhtisë, por të shoqin e bren xhelozia e dyshon se gruaja e ka përdhosur veten, atëherë i shoqi ta sjellë para priftit. Bashkë me të, të sjellë edhe një kilogram miell elbi për fli. Të mos derdhë vaj as temjan mbi të, sepse është fli drithi xhelozie që kushtohet për të përkujtuar fajin. Prifti ta paraqesë gruan para ZOTIT. Pastaj prifti të marrë ujë të shenjtë në një enë balte. Të marrë edhe pluhur nga trualli i tendës e ta shtjerë në ujë. Pasi e paraqet gruan para ZOTIT, prifti t'ia lëshojë flokët dhe në duart e saj të vendosë flinë përkujtimore të drithit, flinë e xhelozisë. Prifti të mbajë në dorë ujin e hidhur të mallkimit. Pastaj t'i kërkojë të betohet e t'i thotë: “Nëse nuk fjeti me ty ndonjë tjetër dhe nëse nuk dredhove nga yt shoq, atëherë ky ujë i hidhur i mallkimit nuk do të të bëjë dëm. Por, nëse i dredhove tët shoqi dhe e përdhose veten duke fjetur me dikë tjetër përveç tët shoqi”, këtu prifti ta vërë gruan të betohet me një nëmë mallkimi e t'i thotë: “ZOTI të bëftë mes popullit një emnesë nëme e mallkimi kur të t'i thajë ijët e të ta ënjtë barkun. U përhaptë uji i mallkimit brenda teje! Ta ënjttë barkun e t'i thaftë ijët!”. Atëherë gruaja të përgjigjet: “Amen! Amen!”. Prifti t'i shkruajë nëmët e pastaj t'i tresë ato në ujin e hidhur. T'ia japë gruas për ta pirë që uji i hidhur i mallkimit të hyjë brenda saj. Prifti t'ia marrë gruas flinë e xhelozisë, t'ia kushtojë ZOTIT si fli lartësimi e ta sjellë tek altari. Atëherë ai të marrë një grusht miell nga flija e përkujtimit e ta djegë në altar. Pastaj t'i japë gruas ujin për ta pirë. Pasi ta ketë pirë, uji i hidhur i mallkimit do të hyjë brenda saj dhe nëse ajo e ka përdhosur veten duke e tradhtuar të shoqin, uji do t'ia ënjtë barkun e do t'ia thajë ijët. Kështu ajo do të bëhet mes popullit një emnesë nëme. Por, nëse ajo është e pastër dhe nuk e ka përdhosur veten, uji nuk do t'i bëj dëm dhe ajo do jetë në gjendje të lindë fëmijë. Ky është ligji në lidhje me xhelozinë, kur gruaja dredhon nga i shoqi dhe përdhos veten ose kur të shoqin e bren xhelozia e dyshon për të. Prifti të paraqesë gruan para ZOTIT e të veprojë me të sipas këtij ligji. I shoqi do të jetë i pafajshëm, ndërsa e shoqja do të mbajë fajin e vet».
Lexo Numrat 5
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Numrat 5:11-31
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video