Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 4:21-49

Numrat 4:21-49 AL1

ZOTI foli me Moisiun e i tha: «Numëroji edhe gershonitët sipas familjeve të etërve e klaneve. Numëro tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. Këto janë sendet që gershonitët do të mbartin gjatë shërbesës së tyre: pëlhurat e tendës, tendën e takimit, mbulesat e saj, mbulesat me lëkurë të çmuar që janë mbi të, perden e hyrjes së tendës së takimit, pëlhurat e oborrit, perden e hyrjes së oborrit që rrethon tendën dhe altarin, litarët dhe tërë pajisjet përkatëse. Ata të kujdesen për gjithçka që lidhet me to. Gershonitët të bëjnë e të mbartin çdo gjë sipas urdhrit të Aronit e bijve të tij. Ju do t'ua caktoni si detyrë çdo gjë që do të mbartin. Kjo do të jetë shërbesa e gershonitëve në tendën e takimit. Ata do të shërbejnë nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron. Numëroji edhe meraritët sipas klaneve e familjeve të etërve. Numëro tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. Këto janë sendet që kanë për detyrë të mbartin gjatë shërbesës së tyre në tendën e takimit: shtyllat përreth oborrit, bazat, kunjat, litarët, tërë pajisjet përkatëse e çdo gjë tjetër lidhur me to. Caktoni me emër çdo send që kanë për detyrë të mbartin. Kjo do të jetë shërbesa e meraritëve në tendën e takimit. Ata do të shërbejnë nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron». Kështu, Moisiu, Aroni e prijësit e bashkësisë i numëruan kohatitët sipas klaneve e familjeve të etërve. Lista e atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë veta sipas klaneve. Ky ishte regjistri i tërë kohatitëve, që shërbenin në tendën e takimit, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të ZOTIT dhënë përmes Moisiut. Regjistri i gershonitëve, sipas klaneve e familjeve të etërve, i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë veta sipas klaneve e familjeve të etërve. Ky ishte regjistri i tërë gershonitëve, që shërbenin në tendën e takimit, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të ZOTIT. Regjistri i meraritëve, sipas klaneve e familjeve të etërve, i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte tre mijë e dyqind veta sipas klaneve. Ky ishte regjistri i meraritëve, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të ZOTIT dhënë përmes Moisiut. Kështu, regjistri i tërë levitëve, përpiluar nga Moisiu, Aroni e prijësit e Izraelit, sipas klaneve e familjeve të etërve, i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, numëronte tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë veta. Ata u regjistruan një më një nga Moisiu, nën drejtimin e ZOTIT, sipas shërbesave e detyrave përkatëse. Regjistri u përpilua siç e kishte urdhëruar ZOTI Moisiun.