Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 4:1-20

Numrat 4:1-20 AL1

ZOTI foli me Moisiun e me Aronin e u tha: «Numëroji kohatitët më vete, sipas klaneve e familjeve të etërve, tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. Në tendën e takimit ata do të kujdesen për sendet më të shenjta. Kur të niseni për udhë, Aroni e bijtë e tij të shkojnë për të hequr velin që të mbulojnë me të arkën e dëshmisë. Ta mbulojnë me lëkurë të çmuar dhe sipër tyre të shtrijnë një mbulesë të tërën ngjyrë vjollcë. Pastaj të vënë shufrat. Të shtrijnë një mbulesë ngjyrë vjollcë edhe mbi tryezën e paraqitjes së bukës. Të vendosin mbi të tasat, kupat, brokat dhe kanat që përdoren për fli stërpikjeje bashkë me bukën që kushtohet përherë. Atëherë të shtrijnë një mbulesë me ngjyrë të kuqe të ndezur. Atë ta mbulojnë me lëkurë të çmuar dhe pastaj të vënë shufrat. Të marrin një mbulesë ngjyrë vjollcë e të mbulojnë me të shandanin që ndriçon, llambat, mashat, kacitë dhe gjithë enët e vajit me të cilat shërbejnë. Këto t'i mbështjellin me lëkurë të çmuar dhe t'i vendosin në një mbajtëse. Altarin e artë ta mbulojnë me një mbulesë ngjyrë vjollcë, pastaj ta mbështjellin me lëkurë të çmuar e të vënë shufrat. Të gjitha enët me të cilat shërbejnë në shenjtërore, t'i mbulojnë me një mbulesë ngjyrë vjollcë, pastaj t'i mbështjellin me lëkurë të çmuar e t'i vendosin në një mbajtëse. Altarin, ta pastrojnë nga hiri dhe të shtrijnë mbi të një mbulesë me ngjyrë të purpurt. Mbi të, të vendosin tërë enët e altarit me të cilat shërbejnë, kacitë, pirunët, terplotet, kovat dhe ta mbështjellin me lëkurë të çmuar dhe pastaj të vënë shufrat. Kur të niseni për udhë, kohatitët do t'i mbartin këto vetëm pasi Aroni me bijtë e tij të përfundojnë së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj. Prandaj, ata nuk do t'i prekin që të mos vdesin. Këto do të mbartin kohatitët nga tenda e takimit. Eleazari, biri i priftit Aron, të jetë përgjegjës për vajin e ndriçimit, temjanin erëkëndshëm, flinë e drithit që kushtohet përherë dhe vajin e vajosjes. Ai të jetë përgjegjës për tërë tendën dhe për gjithçka që është në të, si në shenjtërore, edhe për orenditë përkatëse». ZOTI foli me Moisiun e Aronin e u tha: «Mos lejoni që klanet e kohatitëve të shuhen nga mesi i levitëve. Kështu veproni me ta, që të mos vdesin, por të jetojnë kur t'u afrohen sendeve më të shenjta: Aroni e bijtë e tij të shkojnë e të caktojnë punën dhe barrën e secilit, ndërsa kohatitët të mos hyjnë brenda, as për të parë kalimthi sendet e shenjta, përndryshe do të vdesin».