Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 20:14-29

Numrat 20:14-29 AL1

Moisiu dërgoi nga Kadeshi disa lajmëtarë te mbreti i Edomit e i tha: «Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: ti i di të gjitha vështirësitë që kemi hasur, sesi etërit tanë shkuan në Egjipt, sesi banuam atje për një kohë të gjatë e sesi egjiptianët na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë. Ne i thirrëm ZOTIT. Ai na dëgjoi, dërgoi një engjëll e na nxori nga Egjipti. Tani jemi në Kadesh, qytet në kufi me vendin tënd. Na lër pra, të kalojmë përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë nëpër ara e nëpër vreshta e nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore, nuk do shmangemi as majtas, as djathtas derisa të kalojmë përtej kufijve të tu». Por Edomi iu përgjigj: «Nuk do të kaloni. Përndryshe do të dal t'ju pres me shpatë». Izraelitët i thanë: «Do të shkojmë rrugës kryesore. Nëse unë e kafshët e mia pimë ujin tënd, do ta paguaj. Nuk po të kërkojmë shumë, na lër vetëm të kalojmë më këmbë». Edomi u tha: «Nuk do të kaloni!» dhe u doli përpara me një ushtri të madhe e të fuqishme. Kështu Edomi nuk e lejoi Izraelin të kalojë përmes kufijve të tij dhe Izraeli u largua. Atëherë tërë bashkësia izraelite u nis nga Kadeshi dhe mbërriti në malin Hor. Kur ishin në Hor, që është në kufi me tokën e Edomit, ZOTI i tha Moisiut e Aronit: «Aroni do të bashkohet me të parët. Ai nuk do të hyjë në tokën që u kam dhënë izraelitëve, sepse ngritët krye kundër meje tek ujërat e Meribës. Merr me vete Aronin e birin e tij, Eleazarin, dhe ngjiti në malin Hor. Zhvishja rrobat Aronit e vishja Eleazarit, birit të tij. Aroni do të bashkohet me të parët. Ai do të vdesë atje». Moisiu bëri siç i urdhëroi ZOTI. Ata u ngjitën në malin Hor para tërë bashkësisë. Moisiu ia zhveshi rrobat Aronit e ia veshi Eleazarit, birit të tij. Aroni vdiq në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali dhe mbarë bashkësia e pa që Aroni kishte vdekur. Atëherë tërë shtëpia e Izraelit e vajtoi për tridhjetë ditë.