Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 15:22-41

Numrat 15:22-41 AL1

Nëse gaboni padashur e nuk i mbani tërë këto urdhërime, që ZOTI i dha Moisiut e përmes tij jua dha edhe juve, që nga dita që u dhanë e më tej, brez pas brezi, nëse, pra, ndodh kështu pa dijeninë e bashkësisë, atëherë tërë bashkësia t'i kushtojë ZOTIT një dem si fli erëkëndshme shkrumbimi, fli drithi e fli stërpikjeje, sipas rregullit, dhe një cjap si fli mëkati. Prifti të kryejë shlyerjen e mëkatit për tërë bashkësinë e izraelitëve që t'u falet faji, se gabuan padashur dhe, për këtë, i kushtuan ZOTIT fli zjarri e fli mëkati. Kështu, tërë bashkësia e izraelitëve dhe i huaji që banon mes jush do të falet, sepse i tërë populli gaboi padashur. Kur dikush gabon padashur, të paraqesë një ftujë dyvjeçare si fli mëkati. Prifti të kryejë shlyerjen e mëkatit për personin që gaboi padashur para ZOTIT që t'i falet faji. Ky ligj të vlejë si për vendasin, edhe për të huajin që banon mes jush. Por ai vendas apo i huaj që gabon me qëllim, e poshtëron ZOTIN, prandaj të zhbihet nga populli. Ai përbuzi fjalën e ZOTIT dhe theu urdhërimet e tij. Të zhbihet për shkak të fajit që bëri». Kur ishin në shkretëtirë, izraelitët kapën dikë që po mblidhte dru ditën e shtunë dhe e sollën para Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë. E mbajtën nën mbikëqyrje, sepse nuk ishte e qartë se ç'do të bëhej me të. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Të dënohet me vdekje! Tërë bashkësia ta vrasë me gurë jashtë fushimit». E nxorën jashtë fushimit dhe e vranë me gurë siç e kishte urdhëruar ZOTI Moisiun. ZOTI i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: brez pas brezi të punojnë thekë në fund të rrobave. Në cep të thekëve të vendosin një shirit ngjyrë vjollcë. Kur të shihni thekët, do të kujtoheni për tërë urdhërimet e ZOTIT e do t'i zbatoni. Kështu nuk do të ndiqni lakmitë e zemrës e të syve. Do të kujtoheni të mbani tërë urdhërimet e mia e do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj. Unë, ZOTI, jam Perëndia juaj që ju nxori nga toka e Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë, ZOTI, jam Perëndia juaj!».