Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 14:1-25

Numrat 14:1-25 AL1

Atëherë tërë bashkësia vuri kujën e vajtoi gjatë gjithë asaj nate. Të gjithë izraelitët murmuritën kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose këtu në shkretëtirë. Pse po na çon ZOTI në këtë tokë? Që të vdesim prej shpate e që gratë e fëmijët të na zihen rob? A nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?». Ata i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë një prijës tjetër e të kthehemi në Egjipt». Atëherë Moisiu e Aroni ranë me fytyrë përdhe përpara tërë bashkësisë së izraelitëve. Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, dy nga vëzhguesit, i shqyen rrobat e i thanë bashkësisë së izraelitëve: «Toka që përshkuam e hetuam është tej mase e mirë. Nëse ZOTI na përkrah, do të na çojë në këtë vend e do të na e japë tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Mos ngrini krye kundër ZOTIT! Mos e kini frikë popullin e vendit, se është kafshatë e vogël për ne. Ata s'ka kush t'i ndihmojë, ndërsa me ne është ZOTI. Mos i kini frikë!». Mirëpo tërë bashkësia e izraelitëve donte t'i vriste me gurë. Atëherë lavdia e ZOTIT iu dëftua të gjithë izraelitëve në tendën e takimit dhe ZOTI i tha Moisiut: «Edhe për sa kohë do të më përbuzë ky popull? Edhe për sa kohë nuk do të më zërë besë, pas gjithë atyre shenjave që bëra mes tyre? Do t'i godas me murtajë e do t'i dëboj, ndërsa prej teje do të bëj një komb më të madh e më të fuqishëm se ata». Por Moisiu i tha ZOTIT: «Do të dëgjojnë egjiptianët, prej nga e nxore me forcë këtë popull, e do t'u tregojnë banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar se ti, o ZOT, je mes këtij populli, sepse ti, o ZOT, shfaqesh ballë për ballë, reja jote qëndron mbi ta, dhe ditën u shkon para në shtyllën e resë, ndërsa natën në shtyllën e zjarrit. Nëse e vret një herë e mirë këtë popull, popujt që kanë dëgjuar të flitet për ty do të thonë: “ZOTI i theri në shkretëtirë, se nuk ishte në gjendje ta çonte këtë popull në tokën që u premtoi”. Prandaj, të lutem, tregoje madhështinë e fuqisë tënde, o Zot, ashtu siç the: “ZOTI është i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, e fal paudhësinë e shkeljen, por nuk lë pa dënuar. Paudhësinë e etërve e ndëshkon, deri te fëmijët, deri te breznia e tretë dhe e katërt”. Fale paudhësinë e këtij populli në saje të mirësisë sate të madhe, ashtu siç ke bërë që kur i nxore nga Egjipti e deri tani». Atëherë ZOTI i tha: «Po i fal siç the, por pasha jetën e lavdinë e ZOTIT që mbush tërë tokën, asnjë nga njerëzit që pa lavdinë time e shenjat që bëra në Egjipt e në shkretëtirë dhe më vuri në provë dhjetë herë pa më dëgjuar, s'ka për ta parë tokën që u premtova etërve të tyre. Asnjë nga ata që më përbuzën nuk do ta shohë. Por me Kalebin, shërbëtori tim, ishte një frymë tjetër dhe ai më qëndroi besnik, prandaj do ta çoj në tokën që shkeli dhe që pasardhësit e tij do ta zotërojnë. Amalekitët e kananitët banojnë në luginë, prandaj nesër kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, rrugës për te deti i Kuq».