ZOTI i tha Moisiut: «Dërgo disa burra që të hetojnë tokën e Kanaanit, të cilën unë po ua jap izraelitëve. Dërgoni nga një prijës për çdo fis». Moisiu veproi siç i tha ZOTI dhe i dërgoi krerët e izraelitëve nga shkretëtira e Paranit. Këta janë emrat e tyre: prej fisit të Rubenit, Shamuai, biri i Zakurit; prej fisit të Simeonit, Shafati, biri i Horiut; prej fisit të Judës, Kalebi, biri i Jefunehut; prej fisit të Isaharit, Igali, biri i Jozefit; prej fisit të Efraimit, Hosea, biri i Nunit; prej fisit të Benjaminit, Paltiu, biri i Rafuit; prej fisit të Zabulonit, Gadieli, biri i Sodit; prej fisit të Jozefit, fisit të Manaseut, Gadiu, biri i Susiut; prej fisit të Danit, Amieli, biri i Gemaliut; prej fisit të Asherit, Seturi, biri i Mikaelit; prej fisit të Neftaliut, Nahabi, biri i Vafsiut; dhe prej fisit të Gadit, Geueli, biri i Makiut.
Këta ishin emrat e burrave që Moisiu dërgoi për të hetuar tokën. Moisiu e quajti Hosenë, birin e Nunit, Jozueh.
Moisiu i dërgoi për të hetuar tokën e Kanaanit e u tha: «Shkoni nëpër Negev e ngjituni në male, që të vështroni se çfarë vendi është. A ka shumë apo pak banorë? A është popull i fortë apo jo? A është toka ku rrinë e mirë apo e keqe? A janë qytetet ku banojnë të hapura apo të fortifikuara? A është tokë pjellore apo e shkretë? A ka pyje apo jo? Kini guxim e merrni disa nga frutet e tokës». Ishte stina e rrushit të hershëm.
Kështu, ata shkuan dhe hetuan tokën, që nga shkretëtira e Cinit deri në Rehob të Lebo Hamatit. Shkuan në Negev e mbërritën në Hebron. Atje banonin bijtë e Anakut, Ahimani, Sheshai e Talmai. Hebroni ishte ndërtuar shtatë vjet përpara Coanit të Egjiptit. Kur arritën në luginën e Eshkolit, vëzhguesit këputën shegë, fiq dhe një degë me vile rrushi që e mbartën dy veta në shtagë. Vendi u quajt lugina e Eshkolit për shkak të viles së rrushit që izraelitët këputën atje.