Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 11:1-15

Numrat 11:1-15 AL1

Populli murmuriti ligësisht kundër ZOTIT. Atëherë zemërimi i ZOTIT u ndez kundër tyre dhe zjarri i zemërimit të tij përpiu skajet e fushimit. Populli i thirri Moisiut. Ai iu lut ZOTIT e zjarri u shua. Kështu, ai vend u quajt Taberah, sepse atje zjarri i ZOTIT u ndez kundër tyre. Gjindjen e huaj që ishte me popullin e Izraelit e kapi grykësia. Atyre iu bashkuan edhe izraelitët e filluan të qahen sërish: «Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ende na kujtohet peshku që hanim falas në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët e hudhrat. Por tani, na është tharë barku e s'na shohin sytë gjë tjetër veç manës!». Mana ishte si fara e koriandrës, nga ngjyra i ngjante bdelit. Populli dilte anembanë, e mblidhte, e bluante në mokër ose e shtypte në havan. Pastaj e ziente në kusi dhe e bënte kulaç. Shijen e kishte si kulaçi me vaj. Kur binte vesa e natës në fushim, binte edhe mana. Moisiu dëgjoi si qahej populli, çdo familje e çdo njeri, në tendën e vet. ZOTI u zemërua shumë dhe Moisiu u mërzit. Atëherë Moisiu i tha ZOTIT: «Përse e mundon shërbëtorin tënd? Përse nuk gjeta hir para teje, që ma ngarkove si barrë tërë këtë popull? Mos e ngjiza dhe e polla unë tërë këtë popull që të më thuash mbaje në gji ashtu siç e mban mëndesha foshnjën, deri sa të arrijë në vendin që iu premtove etërve të tij? Ku ta gjej mishin për tërë këtë popull që më qahet e më thotë: “Na jep mish për të ngrënë!”? Unë s'e mbaj dot vetëm barrën e tërë këtij populli, sepse është tepër e rëndë për mua. Po u solle kështu me mua, vritmë një herë e mirë në më do, që të mos e shoh më mjerimin tim».