Në ditën e njëzet të muajit të dytë të vitit të dytë reja u ngrit nga tenda e dëshmisë. Izraelitët u nisën për udhë nga shkretëtira e Sinait dhe reja u preh në shkretëtirën e Paranit. Kjo ishte hera e parë që udhëtonin sipas radhës që ZOTI i urdhëroi Moisiut.
Në fillim nisej njësia e Judës sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Nahshoni, biri i Aminadabit. Netaneli, biri i Cuarit, i printe njësisë së fisit të Isaharit. Eliabi, biri i Helonit, i printe njësisë së fisit të Zabulonit.
Pasi hiqej tenda, niseshin gershonitët e meraritët, mbajtësit e tendës. Pastaj nisej njësia e Rubenit sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Elicuri, biri i Shedeurit. Shelumieli, biri i Curishadait, i printe njësisë së fisit të Simeonit. Eliasafi, biri i Deuelit, i printe njësisë së fisit të Gadit.
Pastaj niseshin kohatitët, mbajtësit e sendeve të shenjta. Ndërkohë ngrihej tenda përpara se ata të arrinin. Pastaj nisej njësia e Efraimit sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Elishamai, biri i Amihudit. Gamalieli, biri i Pedahcurit, i printe njësisë së fisit të Manaseut. Abidani, biri i Gideonit, i printe njësisë së fisit të Benjaminit.
Në fund nisej njësia e Danit sipas grupimeve ushtarake. Atyre u printe Ahiezeri, biri i Amishadait. Pagieli, biri i Okranit, i printe njësisë së fisit të Asherit. Ahirai, biri i Enanit, i printe njësisë së fisit të Neftaliut. Kështu renditeshin izraelitët kur udhëtonin sipas grupimeve ushtarake.
Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuel Midianitit, të vjehrrit: «Po nisemi drejt vendit që ZOTI tha se do të na e japë. Eja me ne! Do të tregohemi dashamirës me ty, se ZOTI është treguar dashamirës me Izraelin». Ai u përgjigj: «Nuk do të vij me ju, sepse do të shkoj në vendlindjen time». Moisiu i tha: «Mos na braktis, sepse ti e di ku duhet të fushohet në shkretëtirë. Të kemi si sytë e ballit! Nëse vjen me ne do të të bëjmë pjesë të të mirave që ZOTI do të na japë».
U nisën nga mali i ZOTIT e udhëtuan tri ditë. Arka e besëlidhjes së ZOTIT u printe gjatë të tria ditëve që të gjente një vend për të fushuar. Reja e ZOTIT rrinte përditë mbi ta sa herë që niseshin nga fushimi.
Sa herë që arka nisej për udhë, Moisiu thoshte:
«Dil, o ZOT,
e armiqtë e tu u shpërndafshin,
ata që të urrejnë këmbëve ua mbathshin».
E kur fushonte thoshte:
«Kthehu, o ZOT, te qindra mijërat e Izraelit».