Jezui e thirri sërish turmën pranë vetes e tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh! Njeriun nuk mund ta ndotë asgjë që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin prej tij».
Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën. Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë, se nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. Dhe vazhdoi: «Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun, se prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja e marrëzia. Të gjitha këto gjëra dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun».
Jezui u nis prej aty e shkoi në krahinën e Tirit. Ai hyri në një shtëpi dhe kjo nuk mundi të mbetej e fshehtë, megjithëse Jezui nuk donte që të merrej vesh. Menjëherë një grua, bija e së cilës ishte e pushtuar nga një shpirt i ndyrë, dëgjoi të flitej për të dhe erdhi e i ra ndër këmbë. Kjo grua ishte helene, me prejardhje sirofenikase, dhe i lutej të dëbonte djallin prej së bijës. Dhe ai i tha: «Le të ngopen fëmijët më parë, se nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». Ajo u përgjigj: «Zot, edhe qentë nën tryezë hanë thërrimet e fëmijëve!». Atëherë ai i tha: «Për hir të fjalëve që the, shko! Djalli ka dalë prej bijës sate». Ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat. Djalli kishte dalë.
Pastaj, ndërsa po kthehej nga krahina e Tirit, shkoi nëpër Sidon drejt liqenit të Galilesë, përmes krahinës së Dekapojës. Aty i sollën një të shurdhët që fliste me vështirësi e iu lutën të vinte duart mbi të. Si e ndau veç nga turma, ia vuri gishtat në veshë. Pastaj ia preku gjuhën me pështymë, ngriti sytë drejt qiellit, psherëtiu e i tha: «Effatha!», që do të thotë «Hapu!». Menjëherë atij iu hapën veshët, iu zgjidh gjuha e filloi të fliste rrjedhshëm.
Jezui i porositi që të mos i tregonin askujt, por sa më shumë i porosiste, aq më shumë e shpallnin dhe, të mrekulluar tej mase, thoshin: «Të gjitha gjërat i ka bërë mirë. Ai i bën të shurdhët të dëgjojnë e memecët të flasin».