Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 6:6-34

Marku 6:6-34 AL1

Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre. Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta». Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin. Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje. Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës. Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr. Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre. Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra.