Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 6:1-13

Marku 6:1-13 AL1

Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre. Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta». Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.