Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.
Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj, që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. Ja të dymbëdhjetët: Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.