Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 12:14-26

Marku 12:14-26 AL1

Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo nuk duhet?». Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë ta shoh!». Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Ata u mrekulluan me të. Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe kur vdiq nuk la fëmijë. Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti e që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». Jezui u tha: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej. Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit.