Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 1:14-39

Marku 1:14-39 AL1

Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile, ku predikonte ungjillin e Perëndisë e thoshte: «Erdhi koha, mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni e besoni në ungjill». Ndërsa kalonte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa Simonin e Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje e unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në varkë duke arnuar rrjetat dhe i thirri menjëherë. Ata lanë në varkë Zebedeun, atin e tyre, bashkë me shërbëtorët e shkuan pas tij. Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden». E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë. Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente. Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte. Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Marku 1:14-39

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë