Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mikea 3

3
Kundër krerëve
1«Thashë: dëgjoni, o krerë të Jakobit,
e ju, o prijës të shtëpisë së Izraelit.
A nuk ju takon juve
ta njihni drejtësinë?
2Ju, urryesit e mirësisë
e dashnorët e ligësisë,
e rripni popullin të gjallë,
mishin prej kockave ia shqyeni.
3E hëngrët të gjallë popullin tim,
lëkurën ia rropët,
kockat ia thërrmuat,
në tavë e therët,
porsi mishin në vorbë.
4Do ta thërrasin Zotin më vonë,
por nuk do t'u përgjigjet.
Do ta fshehë atëherë fytyrën prej tyre,
për shkak të ligësive që kryen.
5Kështu thotë Zoti,
për profetët që mashtrojnë popullin tim,
që shpallin paqe veç kur kanë çka bluajnë me dhëmbë
e luftë kundër atij që s'u jep për të ngrënë.
6Ndaj, do të bëhet natë e s'do të keni vegime,
errësirë e s'do të keni shorti.
Do t'u perëndojë dielli profetëve,
dita do t'u bëhet terr.
7Vegimtarët do të turpërohen,
shortarët do të skuqen,
të tërë do të mbulojnë fytyrën,
se Perëndia s'do të përgjigjet.
8Por, unë jam plot me fuqi e me shpirtin e Zotit,
plot me drejtësi e guxim,
për t'i treguar Jakobit shkeljen e tij,
Izraelit mëkatin e tij.
9Dëgjoni, o krerë të shtëpisë së Jakobit,
e ju, o prijës të shtëpisë së Izraelit.
Ju, urryesit e drejtësisë
e shtrembëruesit e së drejtës.
10Ju e ndërtoni Sionin me gjak
e Jerusalemin me padrejtësi.
11Krerët japin gjykim me mitë,
priftërinjtë japin mësim me pagesë,
profetët bëjnë shorti me para
e prapë mbështeten në Zotin e thonë:
a s'është Zoti mes nesh?
Asnjë e keqe s'do të na gjejë!
12Ndaj për fajin tuaj,
Sioni do të lërohet si arë,
Jerusalemi do të bëhet gërmadhë
e mali i tempullit pyll i dendur!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Mikea 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë