Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave. Ai quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij. Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?». Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: dua mëshirë e jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».
Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit e i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». Jezui u tha: «A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë. Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën e grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».
Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë e i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë». Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt. Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e gunës. Sepse thoshte me vete: «Sikur t'i prek vetëm gunën, do të shpëtoj». Jezui u kthye, e pa e i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua. Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme, Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën. Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit. Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën.
Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!». Si arritën në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezui u tha: «A besoni se mund ta bëj këtë gjë?». Ata i thanë: «Po, o Zot!». Atëherë ai u preku sytë e u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!». Dhe atyre iu hapën sytë. Jezui i urdhëroi: «Kini kujdes se mos e merr vesh njeri». Por ata, sapo dolën, e përhapën lajmin në mbarë krahinën.
Ndërsa po dilnin, i sollën një shurdhmemec që ishte i pushtuar nga djalli. Kur u dëbua djalli, shurdhmemeci foli dhe turmat u mrekulluan e thanë: «Nuk është parë asnjëherë një gjë e tillë në Izrael». Por farisenjtë thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».