Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 8:5-17

Mateu 8:5-17 AL1

Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast. Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai: mori mbi vete dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona.