Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai:
mori mbi vete dobësitë tona
dhe mbarti sëmundjet tona.
Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër. Një shkrues iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh». Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë». Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre».
Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet. Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët. Ndërkohë ai flinte. Ata iu afruan, e zgjuan e i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!». Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe. Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».
Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge. Dhe, ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?». Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash». Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë. Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet, që të tregonin për të pushtuarit nga djalli e për gjithçka ndodhi. Dhe, ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën të largohej nga krahina e tyre.