Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
Lexo Mateu 8
Dëgjoj Mateu 8
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Mateu 8:1-13
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video