«Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
«Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».
«Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
«Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu».