«Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».
«Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
«Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».
«Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».