Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.
Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.
Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi:
i morën tridhjetë monedhat e argjendta,
çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,
e blenë me to Arën e Poçarit,
siç më kishte urdhëruar Zoti.
Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.
Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.
Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.