Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 26:1-30

Mateu 26:1-30 AL1

Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve: «Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar». Atëherë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa dhe së bashku vendosën ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull». Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t'u jepeshin të varfërve». Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri». Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e u tha: «Çfarë do të më jepni po t'jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar. Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, dishepujt erdhën te Jezui e i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?». Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani e i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”». Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën Pashkën. Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim». Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.