Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 24:1-28

Mateu 24:1-28 AL1

Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi». «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, por, ja, unë ju paralajmërova. Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë