Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues”.
Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet».
«Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda e as lejoni të hyjnë ata që duan».
«Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!».
«Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. Të verbër! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron».
«Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!».
«Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme».