Mateu 19:1-9
Mateu 19:1-9 AL1
Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». Dhe tha: « Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore».

