Mateu 16:1-20
Mateu 16:1-20 AL1
Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre. Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve. Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti.

