Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 15:1-28

Mateu 15:1-28 AL1

Farisenjtë dhe shkruesit erdhën te Jezui nga Jerusalemi e i thanë: «Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë». Jezui u përgjigj: «Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj? Se Perëndia ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. Por ju thoni: “Kush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë, ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar të atin”. Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë. Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha: ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve ». Pastaj e thirri turmën pranë vetes e tha: «Dëgjoni e merrni vesh! Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot çfarë del prej saj». Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se u je bërë pengesë farisenjve kur e kanë dëgjuar këtë gjë?». Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë. Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë». Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë». Jezui tha: «Ende nuk e keni kuptuar? A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet? Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun. Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme e fyerjet. Këto e ndotin njeriun e jo ngrënia me duar të palara». Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit. Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli». Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur». Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!». Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve». Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.