Mateu 14:22-33
Mateu 14:22-33 AL1
Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». Kur hipën në varkë, era pushoi. Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».


