Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 14:1-18

Mateu 14:1-18 AL1

Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin. Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit. Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». Jezui tha: «M'i sillni këtu».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë