Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 13:44-58

Mateu 13:44-58 AL1

«Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». «A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po». Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo shkrues që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja e të vjetra». Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej. Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti e kjo fuqi për të bërë mrekulli? A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij? Po motrat e tij a nuk janë të gjitha këtu te ne? Nga i vijnë këtij të gjitha këto?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Profeti nuk përçmohet askund përveçse në vendlindjen e në shtëpinë e vet». Aty nuk bëri shumë mrekulli, për shkak të mosbesimit të tyre.