Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 13:24-43

Mateu 13:24-43 AL1

Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet, por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua. Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”. Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku”. Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”. Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin. Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t'u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t'i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”». Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me një farë sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është më e vogla ndër të gjitha farërat, por pasi rritet, është më e madhja ndër barishtet e bëhet pemë, saqë zogjtë e qiellit vijnë e bëjnë fole në degët e saj». U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi». Jezui ua tha turmave të gjitha këto gjëra me shëmbëlltyra e nuk u fliste pa shëmbëlltyra, që të përmbushet çfarë është thënë përmes profetit: do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj çfarë ishte e fshehur që nga fillimi i botës. Pastaj Jezui i la turmat e shkoi në një shtëpi. Dishepujt erdhën tek ai e i thanë: «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë». Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë».